Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Qeveria vendos sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport më situatën në Ukrainë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka prezantuar sanksionet e reja ndaj federatës Ruse dhe Bjellorusisë.
“Duke pasur për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, marrja e vendimeve të tilla do të kontribuonte në vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të dhe BE-në, por edhe partnerë të tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta demokratike”, tha Donika Gërvalla-Schwarz.
Sipas saj, sanksionet konsistojnë në:
-Masa kufizuese tregtare në lidhje me hekurin dhe çelikun si dhe mallrat e luksit
-Masa kufizuese të eksportit në lidhje me mallrat dhe teknologjinë në përdorim të dyfishtë
-Masa kufizuese që ndalojnë investimet e reja në sektorin energjetik rus dhe kufizim i eksportit në pajisje teknologji dhe shërbime për industrinë e energjisë në Rusi me përjashtim të industrisë bërthamore
-Masa kufizuese që ndalojnë të gjitha transaksionet në disa kompani shtetërore që tashmë janë objekt i kufizimeve të ri-financimit
-Masa kufizuese që ndalon ofrimin e shërbimeve të vlerësimit të kredisë dhe ndalon aksesin në çdo shërbim abonimi në lidhje me aktivitetet e vlerësimit të kredisë për klientët rus.
Qeveria në mbledhjen e 86- të ka miratuar propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë të datës 16 maj 2022 “Për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve për vendosje të sanksioneve ndaj federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me Situatën në Ukrainë”.
Më 16 maj, Qeveria e Kosovës kishte vendosur sanksione të reja ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.
Që nga 24 shkurti, Rusia ka nisur sulmet ndaj Ukrainës.
Sanksionet e mëhershme të Kosovës ndaj Rusisë i gjeni në këtë LINK.