Qeveria vendos që paga minimale të jetë 350 euro bruto në muaj
Qeveria ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 01.10.2024.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se vendimi është që pagesa duhet të jetë 2 euro për orë, e që përkthyer në një muaj i bie 350 euro pagë mujore.
“Kjo do të hyjë në fuqi që nga 1 tetori që t’u japin mundësi bizneseve dhe organizatave të tjera që të bëjnë përshtatjen e nevojshme” – tha Murati, i cili shtoi se nga ky vendim do të preken thuajse 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim vjen pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale, i cili ishte proceduar në prill 2022.
Kurti shtoi se propozimi i atëhershëm ishte 264 euro bruto në muaj, përderisa më parë ishte 130 euro bruto në muaj për të punësuarit mbi 35-vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35.
Por, pasi që kanë kaluar dy vite prej atëherë, Kryeministri tha se kjo shumë do të ishte e pamjaftueshme dhe e vjetërsuar.
“Mirëpo që nga ai propozim, ligji fillimisht u bllokua për mëse një vit nga opozita, e më pas u dërgua në Gjykatë Kushtetuese ku u vonua për 11 muaj. Marrë parasysh këtë distancë kohore edhe niveli prej 264 euro sot duket i vjetërsuar dhe i pamjaftueshëm. Prandaj sot do të miratojmë një nivel tjetër që reflekton zhvillimet e këtyre dy viteve dhe realitetin në shoqëri” – shtoi shefi i Qeverisë.
Ministri Murati tha se bashkë me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin e Punës do të sigurohen që ligji dhe vendimi për rritjen e pagës minimale të zbatohen.
Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar në qershor 2024 se Ligji për Pagën Minimale nuk është në kundërshtim me Kushtetuten, duke i dhënë kështu të drejtë Qeverisë lidhur me këtë ligj.
Interpretimi rreth përputhshmërisë së këtij ligji me Kushtetutën është bërë me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila më 21.07.2023 me pretendimin se Ligji i prezantuar nga Qeveria pa të drejtë largon kushtëzimin se pensioni i veteranëve të UÇK-së dhe pensionet e personave të verbër, paraplegjik dhe tetraplegjik të jenë të ndërlidhur me pagën minimale në vend.