Qeveria vazhdon edhe për 30 ditë masat emergjente të furnizimit me energji

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji.

Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Qeverisë, e cila është mbajtur në formë elektronike.

Sipas njoftimit, vendimi është miratuar me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme edhe për 30 ditë.

Vendimi i kaluar i Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të energjisë elektrike kishte marrë mbështetjen për miratim të 65 deputetëve të Kuvendit të Kosovës me 8 nëntor.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar gjashtë vendime, në mesin e tyre ndarjen e mjeteve për shtesat prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe për studentët, ndërsa i ka propozuar Kuvendit të Kosovës miratimin e vendimit për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Po ashtu Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje në shumën prej mbi 6 milionë euro, kërkesën për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për muajin nëntor 2022 dhe plotësim/ ndryshimin e vendimit të Qeverisë të datës 14 shtator 2022, për të reflektuar ndryshimet e nevojshme për realizimin e pagave të specializantëve.