Qeveria vazhdon bashkëpunimin me britanikët për pozitat e larta drejtuese

Kryeministri Avdullah Hoti dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott kanë nënshkruar marrëveshje mes Qeverisë dhe Britanisë lidhur me rekrutimin në pozita të larta drejtuese.

Ambasadori Abott tha se kjo marrëveshje ishte kërkesë e Hotit.

“Kjo mundëson vazhdimin e mbështetjes në prokurim, marrëveshja ishte kërkesa e parë e kryeministrit ndaj meje. Puna e vështirë e marrëveshjes fillon pas nënshkrimit. Rekrutimet profesionale dhe transparente mbesin sfidë për Kosovën.  Raportet e auditorit janë shenja të mjaftueshme që institucionet kanë nevojë për rekrutim profesional”, tha ai.

Kurse, kryeministri Hoti tha se janë zotuar për transparencë të plotë.

“Shqipja e ambasadorit është më e mirë se anglishtja ime pa dyshim. I falenderoj për mbështetjen. Jemi zotuar që së bashku me partnerët britanikë të sigurojmë dy gjëra; transparencë të plotë dhe konkurrueshmëri.  Po përmbush një zotim te qeverisë për tu siguruar qe njerëzit qe emërohen, të lirohemi nga mania e nepotizmit. Do të sigurohemi qe marrëveshja të zbatohet pikë për pikë”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti i pyetur se a do t’i respektojnë rekomandimet e ekspertëve britanikëve, ai tha se “nëse ka një argument ligjor që dikush është caktuar në kundërshtim me ligjin, përgjegjësinë e marrë unë për të marrë veprimet e duhura”.

Ndërsa, Abott u pyet nëse do të ndërpresin bashkëpunimin  me Qeverinë nëse shohin që rekomandimet e ekspertëve britanikë nuk po merren parasyshë dhe po injorohen, ai tha se këtë gjë e ka nisur më një qasje pozitive.

“Ne kemi pasur mospajtime në të kaluarën, sot e kemi filluar një fazë të re dhe kryeministri dhe unë u zotuam që këtë ta bëjmë me sukses. Unë e nisa me një qasje pozitive dhe unë besoj që do të bëjmë sukses në këtë. Mundet të mos jetë e lehtë, puna e vështirë fillon tani, por ne jemi të punojmë së bashku që ta bëjmë këtë punë me sukses .Ne do ta bëjmë”, tha ai.

Për disa vite radhazi britanikët kanë monituruar proceset e rekrutimeve të pozitave të larta nëpër institucionet publike.

BIRN ka qenë pjesë e monitorimeve në shumë institucione publike gjatë përzgjedhjes së kanditatëve në pozita të larta – LINK