Qeveria tregon se çka u diskutua në takimin e Kurtit me ambasadorët e QUINT-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kanë zhvilluar sot një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it të akredituar në Kosovë, takim ky i cili ishte i mbyllur për media.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim kanë diskutuar për procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksin e Zbatimit nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel dhe ai i 18 marsit në Ohër ndërmjet të dyja shteteve.

“Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi theksuan se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë. Gjithashtu, u përmend nevoja që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes”- thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, procesi i dialogut do të vijojë me takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve që pritet të zhvillohet të hënën e ardhshme, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit.​

Ky takim i Kurtit me ambasadorët e QUINT-it vjen një ditë pas vizitës së përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak i cili ka zhvilluar disa takime dje në Kosovë.

Kurti tha se takimi me Lajçak ishte vazhdim i atij që ishte mbajtur javën e kaluar në Bruksel dhe se gjithashtu ishte edhe përgatitje për takimin që do të zhvillohet mes kryenegociatorëve javën e ardhshme.

“Ne e dimë që pala tjetër ka bërë deklarata se marrëveshjen nuk e pranon me përmbajtje por vetëm me koncept dhe se zbatimi i saj ka kufizime. Këto për ne janë të pa pranueshme dhe ishte e rëndësishme që sot ta konfirmojmë me emisarin që marrëveshja është ajo me 11 nene në Bruksel dhe ajo me 12 pika në Ohër”- shtoi ai.

Kryeministri theksoi se është i interesuar që të bashkëpunojë në shkrimin e një vizioni për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit të vetë-menaxhimit.