Qeveria tregon se çka diskutoi Kurti me komandantin e KFOR-it

Keyeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, pritën në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar në lidhje me situatën në vend.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate njofton se në takim kryeministri Kurti theksoi se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa.

“Liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja, për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeve politike a prejardhjes, përkatësisë etni​ke apo fetare, në Republikën e Kosovës është prioritet dhe interes i të gjithëve. Institucionet e sigurisë duhet të bashkëpunojnë që të garantojnë një ambient të sigurt e të qetë për të gjithë”- thuhet në komunikatë.

Sipas kumtesës, kreu i ekzekutivit ka njoftuar komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim.

“Kryeministri theksoi se objektet e komunës janë pronë e Republikës”- bën të ditur Qeveria.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar se komandanti Ristuccia është pritur sot në takim nga kryeministri Albin Kurti. Ky takim ka ardhur pas zhvillimeve të fundit në veri.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri