Foto: Albin Kurti, Susan Flocken

Qeveria tregon se çfarë u bisedua në takimin e kryeministrit Kurti me kryesindikalisten evropiane

Kryeministri  Albin Kurti ka pritur në takim drejtoreshën evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE), Susan Flocken, së bashku me përfaqësuesit e Këshillit Grevist.

Qeveria bën të ditur se kryeministri Kurti potencoi rëndësinë e mësimdhënësve për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, marrë parasysh angazhimin e tyre pedagogjik, emocional dhe psikologjik gjatë dhe pas orarit të punës,

Në njoftimin e Qeverisë potencohet se kryeministri Kurti e informoi drejtoreshën Flocken se Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim sivjet për 12%. Po ashtu e njoftoi për Pakon për Përballjen me Inflacionin, në vlerë prej 150 milionë euro, e cila ofron mbështetje financiare për punëtorët e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nëpërmjet shtesës prej 50 euro, minimalisht për të gjithë muajt e mbetur të vitit. Një rritje e këtillë tejkalon shkallën e inflacionit në vend, sipas Qeverisë.

Tutje, theksohet se në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, u theksua se Qeveria ka proceduar Projektligjin për Paga në Sektorin Publik, që ka qenë kërkesë qendrore e kahmotshme sindikale, ndërsa është trajtuar që nga fillimi me prioritet nga Qeveria. Projektligji për Pagat në Sektorin Publik tashmë është në dëgjim publik.

Nga Qeveria u ritheksua domosdoshmëria që sindikatat të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Ligjin për Pagat, ligj ky i cili ka për qëllim të sigurojë barazi dhe trajtim të dinjitetshëm të sektorit publik në vend.

Tutje, sipas Qeverisë, në Projektligjin e ri për Paga, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë, ndërsa mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë,

Po ashtu thuhet se në takim u  potencua se pas së paku 30 takimesh ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave, si dhe komunikimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit e sindikatave, Kryeministri Kurti, më 13 shtator 2022, ka ftuar dhe pritur në takim Këshillin Grevist. Në këtë takim, sipas Qeverisë, përfaqësuesit e Këshillit Grevist kishin thënë që do të konsultohen me anëtarësinë për çështjet e diskutuara. Përkundër kësaj, menjëherë pas takimit, ata deklaruan për media se greva vazhdon.

Qeveria njofton se Flocken potencoi rëndësinë e diskutimit të ofertës me anëtarësinë, duke theksuar se vendimmarrja buron nga anëtarësia e sindikatës.

Më tej bëhet e ditur se kanë  theksuar edhe përkushtimin për ndërmarrjen e hapave në drejtim të reformës në sistemin pensional dhe atë të sigurimeve shëndetësore. Po ashtu, Qeveria tashmë është zotuar që tek barnat esenciale do të shtohen 10 milionë euro.

Gjatë takimit u tha se paraprakisht, Ministria e Arsimit ka adresuar edhe çështje tjera që janë ngritur nga Sindikata e Arsimit si ndarja e 1.7 milion euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda, buxhet shtesë për mësimdhënësit që konsiderohen tepricë, ashtu që të mos mbeten pa punë. Në njoftimin e Qeverisë theksohet se në vitin 2022, 1,600 mësimdhënësve u janë ruajtur normat, ndërkohë që për vitin 2023 tashmë janë planifikuar t’u ruhen normat 2,209 punëtorëve të arsimit.

Qeveria po ashtu ritheksoi se do mbetet e përkushtuar për dialog dhe pret reagimin pasues nga Këshilli Grevist.

Foto: Albin Kurti, Susan Flocken

 

Kryeministri Kurti u takua me drejtoreshën e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Qeveria nuk lëviz në qëndrimin për grevën