Qeveria tregon se çfarë bisedoi Kurti me Këshilltarin e Lartë amerikan, Derek Chollet
Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar telefonatën e djeshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Këshilltarin e Lartë të të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Qeveria e Kosovës ka zbardhur detaje të bisedës telefonike mes Kurtit e Chollet.
“Diskutuan për propozimin evropian, të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik duke u pajtuar edhe për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut.
Përvec propozimit të BE-së, Kurti e Cholles kanë diskutuar edhe për procesin e integrimit ndëkombëar të Kosovës.
“Gjithashtu, u theksua rëndësia e avancimit për Kosovën në integrime ndërkombëtare në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze” – thuhet tutje në njoftimin e Qeverisë.
Në anën tjetër, Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, kishte njoftuar të premten në mbrëmje për telefonatën me kryeministri Kurti.
Chollet shkruante se mirëpret vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.