Qeveria thotë se s’ka asnjë bllokadë të furnizimit me naftë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se bashkë me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës do të identifikojnë marrëveshjet e përbashkëta të tregtarëve pas rritjes enorme të çmimeve.
Hajdari tha se nuk ka asnjë bllokadë për furnizimin me naftë dhe se ka mjaftueshëm në stoqe.
Ajo theksoi se nuk ka pasur diskutime për largimin e aksicëz së naftës.
“Duke pasur parasysh edhe luftën edhe çështjet pas COVID-19, sidomos me çështjen e transportit vijnë edhe rritjet e çmimeve dhe ne jemi një shtet që importon 90% të produkteve. Kemi marrë masa të ndryshme, siç është vendimi për naftë. Duke e ditur që tregtarët që dje furnizohen, ndërsa sot i caktojnë çmimet, kjo nuk është një lojë fer. Ne do t’i identifikojmë të gjitha marrëveshjet e përbashkëta sepse nganjëherë thonë edhe që nuk kemi stoqe. Nuk kemi asnjë bllokadë me furnizim me naftë, nuk kemi bllokadë. Kemi caktuar marzhën 4-6%, ne jemi të hapur, por jo të gjitha kërkesat sepse ne jemi Qeveri që kujdesim për qytetarin. Qytetarët janë ata që e mbushin arkën e shtetit si dhe të biznesit. Nuk kemi pasur diskutim për akcizë, kemi mjaft stoqe, kemi mjaft importe të naftës dhe po i përcjellim çdo ditë nga dogana”, tha ajo.