Qeveria synon të jap bono në vlerë deri në 100 euro për familjet me asistencë sociale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ekzekutivi që drejton ka bërë rishikimin e buxhetit të vendit ku ka paraparë edhe disa masa të reja për të ndihmuar familjet me asistencë sociale dhe prodhuesit vendor.

Ai ka përmendur formën e dhënies së bonove, me atë të cilëve familjet me asistencë sociale do të mund të blinin produkte vendore.

“Puna e parë që kemi bërë ka qenë krijimi i fondit për rimëkëmbje ekonomike në rishikim të buxhetit. Unë ftoj deputetet që në procedurat parlamentare ta miratojnë rishikimin e buxhetit që për rimëkëmbjen ekonomike është afër 400 milionë euro. Ne kemi paraparë një listë prej masave që do t’i ndërmarrim”, ka deklaruar kryeministri Hoti në një intervistë për televizionin T7.

Tutje, Hoti ka shpjeguar edhe sesi mund të shfrytëzohen bonët, të cilët ka thënë se mund të jenë deri në 100 euro.

“Një politikë mjaftë inovative është ajo, që ne po e quajmë bono, që do të marrin familjet me asistencë sociale për të blerë prodhime vendre. Ta zëmë, një bono në vlerë prej 100 eurove, për familjen që është në asistencë sociale, brenda një muaji, de në atë bono përshkruhet lista që mund të blihen me atë bono. Me atë bono shkon në dyqan dhe mund të blej listën e produkteve që përshkruan aty, vetëm produktet vendore. Do të ndihmohet familja por edhe prodhuesit vendor”, tha ai.