
Qeveria: S’kemi pranuar kërkesë zyrtare për ndonjë takim Kurti-Lajçak
Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për ndonjë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga z. Lajçak për takim me kryeministrin Kurti” – thuhet në përgjigjen për KALLXO.com nga Zyra e Kryeministrit, e cila thekson se për takime të tilla mediat njoftohen gjithmonë paraprakisht.
Burime nga Brukseli të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se Lajçak do të qëndrojë sonte në Prishtinë dhe se pritet që ai ta takojë kryeministrin Kurti.
Javëve të fundit janë shpeshtuar vizitat e diplomatëve evropianë e amerikanë në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Institucionet e Kosovës dhe ato të Serbisë kanë pranuar kohëve të fundit një plan, i cili po trajtohet si plani evropian, për rrugën përpara drejt një marrëveshjeje mes dy vendeve.