Selami Simsek në Gjykatën e Tiranës më 27 Janar 2020. Foto: Malton Dibra/LSA

Qeveria shqiptare akuzohet për ‘rrëmbim personi’ në rastet e gulenistëve

Grupi i punës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndalimet Arbitrare i dërgoi qeverisë shqiptare një listë me pyetje mbi akuzat për rrëmbim personi dhe zhdukje, krime këto që aludohet se janë kryer nga struktura të caktuara shtetërore ndaj dy shtetasve turq, Harun Çelik dhe Selami Simsek.

 

Qeveria shqiptare ka marrë një letër me pyetje nga pesë komisionerë të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t’iu përgjigjur akuzave të rënda për rrëmbim dhe zhdukje personi, të cilat aludohet se kanë ndodhur në rastin e shtetasve turq Harun Çelik dhe Selami Simsek.

Letra e komisionerëve, e publikuar fillimisht në Shqipëri nga Balkanweb, thekson se Shqipëria mund të ketë shkelur në këto raste konventat përkatëse që ka ratifikuar dy dekada më parë.

“Ne theksojmë se dështimi për të njohur heqjen e lirisë nga ana e agjentëve shtetërorë dhe refuzimi për të njohur ndalimin përbëjnë një zhdukje të detyruar, edhe në rast se kjo ndodh për një periudhë të shkurtër,” shkruhet në letër.

Harun Çelik është një mësues i  një shkolle të lidhur me lëvizjen Guleniste në Kazakistan. Ai u arrestua në Shqipëri në korrik 2019 në Rinas ku u kap me një vizë kanadeze të falsifikuar. Ai vuajti dënimin gjashtëmujor të dhënë nga gjykata për përdorim dokumentesh të falsifikuara dhe pritej të lirohej më 1 janar 2020. Por në vend që të lirohej, Çelik u rrëmbye në Tiranë dhe u nis me avionin e linjës Air Albania për në Stamboll, ku qeveria turke e arrestoi si terrorist.

Një investigim i BIRN zbuloi se rrëmbimi i Çelik në Tiranë dhe përzënia e tij për në Turqi u krye pavarësisht thirrjeve të tij të dëshpëruara për azil.

Më 9 mars, një shtetas i dytë turk me emrin Selami Simsek u lirua nga burgu në Tiranë për falsifikim dokumentesh, por në vend që të lihej i lirë, një makinë policie e mbajti atë të bllokuar për shumë orë, pavarësisht se ndaj tij nuk kishte masë sigurie.

Mbështetësit e tij që bënë roje jashtë Ministrisë së Brendshme në Tiranë akuzojnë se zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare kanë bërë presion për përzënien e tij të menjëhershme drejt Turqisë.

Komisionerët e OKB-së që kanë firmosur letrën janë: Luciano Hazan, i cili bashkëdrejton grupin e punës kundër zhdukjeve me forcë, Leigh Toomey, që merret me heqjen arbitrare të lirisë, Felipe González Morales, reporter për të drejtat e njeriut të migrantëve, Fionnuala Ní Aoláin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe Nils Melzer, komisioner për luftën kundër torturës dhe keqtrajtimit.

“Ndërsa ne nuk duam të paragjykojmë saktësinë e këtyre akuzave, ne jemi të shqetësuar se një rikthim me forcë i z. Selami Simsek dhe shtetasve të tjerë turq që sot banojnë në Shqipëri mund t’i vendosë ata në rrezik serioz për heqje arbitrare të lirisë e ndoshta zhdukje e dhunshme e torturë gjatë tranzitit apo pas mbërritjes në Turqi,” shkruhet në letër. “Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se Z. Çelik duket se është zhdukur për shkak të lidhjes së supozuar të tij me lëvizjen Hizmet/Gulen dhe se kjo është bërë pa proces të rregullt ligjor të parashikuar në legjislacionin përkatës,” shkruhet në letër.

Endri Fuga, zëdhënësi i kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për koment mbi letrën e OKB-së deri në publikimin e këtij shkrimi.

Pas publikimit të skandalit të Çelik në janar të këtij viti, autoritetet shqiptare mohuan të kishin dijeni se bëhej fjalë për një shtetas të kërkuar nga Turqia si pjesë e lëvizjes Gulen.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se ai nuk kishte bërë kërkesë për azil dhe se përzënia e tij nga policia ishte e ligjshme.

Kjo është hera e parë në shumë vite që Shqipëria akuzohet për rrëmbim personi të kryer nga strukturat shtetërore apo për zhdukje me forcë.

Aktualisht Simsek vijon të mbahet në qendrën e mbyllur për refugjatë në Kareç të Tiranës. Avokati i tij, Elton Hyseni tha se nuk kishte marrë asnjë informacion.

“Nuk e dimë nëse është refuzuar kërkesa për azil apo nëse është pranuar. Nuk na kanë thënë asgjë. Ata po e mbajnë në kamp të mbyllur, por nuk ka asnjë vendim dhe shpjegim se përse po e mbajnë atje. Për ne nuk pyesin, shpresojmë që ndërhyja e OKB-së të ndihmojë dhe të marrim përgjigje,” deklaroi ai. Sipas Hysenit, edhe kërkesat e shumta për informacion drejtuar autoriteteve për rastin e Çelik kanë mbetur pa përgjigje.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!