Qeveria shpenzoi mbi 40 milionë euro më tepër në muajt prill-qershor 2020

Në tremujorin e dytë prill-qershor të sivjetëm, kohë e pandemie, të hyrat kishin vlerën e 587.2 milionë euro ku gjysma e tyre u mblodhën nga tatimet në produkte ndërsa shpenzimet ishin në vlerën e 534.9 milionë euro ku më shumë se gjysma e tyre u harxhuan në kontribute sociale dhe kompensim të punëtorëve. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, shtetit pati -23.6 milionë euro më pak të hyra dhe +41 milionë euro më tepër shpenzime.

 Të dhanë e ASK-së tregojnë se shuma e të hyrave të Qeverisë së Përgjithshme në tremujorin e dytë të këtij viti ishin 587.2 milionë euro.

Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, që paraqesin 47.4 për qind të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Në krahasim me tremujorin paraprakë, të hyrat u rritën për 184.8 milionë euro sa ishin 402.4 milionë euro ndërsa në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, të hyrat qeveritare pësuan një rënie prej -23.6 milionë euro.

Në tremujorin e dytë të vitit 2019, ishin 610.8 milionë euro.

Në anën tjetër shuma e shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme në tre muajt prill-qershor 2020 ishte 534.9 milionë euro.

Kontributet sociale dhe kompensimi i punëtorëve ishin shpenzuesit më të mëdhenj.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kontributet sociale dhe përfitimet (35.1%); kompensimi i punëtorëve (32.2%); formimi i kapitalit bruto (11.1%); dhe konsumi i ndërmjetëm (8.8%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.”, thuhet në komunikatë.

Në raport me tremujorin paraprak shpenzimet u rriten për 134.6 milionë euro ndërsa në raport me tre muajt prill-qershor të vitit të kaluar shpenzimet u rritën për 41 milionë euro.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Llogaritë Qeveritare të Kosovës në bazë tremujore. Ky botim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe (TM2 2020).