Qeveria me konkurs ndërkombëtar për hartimin e projektit për kompleksin memorial 'Adem Jashari'

Qeveria ka marrë vendim lidhur me shpalljen e një konkursi ndërkombëtar për hartimin e projektit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ministri Hajrullah Çeku tha se nga themelimi i komitetit ndërministror për këtë kompleks kanë  punuar pareshtur në disa drejtime.

“Fillimisht kemi angazhuar profesionist për vlerësimin e gjendjes së qëndrueshmërisë së kullave dhe ndërtesave të tjera brenda kompleksit, bazuar në rekomandimet kemi ndërmarrë ndërhyrje emergjente në disa struktura”- tha ai.

Çeku tha se kanë kompletuar edhe dokumentacionin teknik për shpalljen e tenderit për projektin e kompleksit memorial ‘Adem Jashari’.

“Ministria e Kulturës bashkë me Agjencinë e Komplekseve Memoriale dhe komisionin e eksperteve kanë përgatitur të gjithë dokumentacionin teknik për shpalljen e procedurës së prokurimit për këtë projekt”- tha ai.

“Sot qeveria bazuar në Ligjin për Kompleksin Memorial ka miratuar kushtet, kriteret dhe procedurën për konkursin ndërkombëtar, duke autorizuar ministrinë për shpalljen e procedurës e cila do të jetë e hapur”- shtoi ai.

Ministri Çeku po ashtu dha detaje edhe sesi do të bëhet përzgjedhja e fituesit për këtë projekt.

“Juria e cila do të jetë nga profesionistë vendor dhe të jashtëm bën përzgjedhjen e 3 propozimeve më të mira, vendi i parë e nënshkruan kontratën për hartimin e projektit, vendi i dytë shpërblehet me 80 mijë euro, dhe vendi i tretë shpërblehet 60 mijë euro”- shtoi ai.

Sipas ministrit, në momentin që do të nënshkruhet kontrata do të nisë edhe procedura për shpronësimet e nevojshme gjithnjë sipas ligjit.

Komiteti ndërministror i qeverisë së Kosovës për ndërtimin e këtij kompleksi është themeluar më 26 mars të vitit 2021.

Në mbledhjen e 7 tetorit të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovë, ka miratuar hulumtimin shumë-sektorial për konceptin, vizionin dhe bazat e Master Planit për këtë kompleks.

 

Takohet Këshilli Ndërministror për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, i hapet rruga shpalljes së konkursit