Qeveria shkarkon drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil, ish-këshilltar i Pal Lekajt

Qeveria në detyrë, që udhëhiqet nga Albin Kurti, ka shkarkuar drejtorin e Aviacionit Civil, Eset Berisha, në mbledhjen e cila po mbahet në distancë.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar burime nga Qeveria.

Eset Berisha ishte emëruar në muajin nëntor nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, si drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Ai ishte këshilltar i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë qeverisjes së Haradinajt.

Vetë Ramush Haradinaj kur e kishte emëruar në krye të Aviacionit Civil kishte thënë se nuk e njeh Eset Berishën.

Gjatë kohës sa ai ishte në këtë institucion u nënshkrua marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

KALLXO.com raporti më herët rreth vendimeve të reja të Qeverisë Kurti.