Qeveria rrit pagat për punëtorët e sektorit publik nga janari 2025
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka rritur pagat për punëtorët e sektorit publik në Kosovë nga janari i viti 2025.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një konference për media të mbajtur më 29.10.2024, njoftoi se një pjesë e rritjes së pagave do të bëhet nga janari, e pjesa e dytë e rritjes nga korriku i vitit 2025.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithësej 110 euro bruto.
Ai tha se vlera e koeficientit do të mbetet e njëjtë, por do të rritet njësia e koeficientit.
“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes së pagave. Kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, por rritet sasia e koeficienteve për 1 njësi. Duke filluar nga janari 2025 për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm gjysma tjetër”- ka thënë Kurti.
Kurti tha se ky është viti i tretë gjatë qeverisjes së tij që janë rritur pagat.
“Në vitin 2024, aplikuam rritjen e koeficientit nga 105 në 110 euro. Tani në vitin 2025 do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat. Derisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit dhe atë në fushatë, me qeverisjen tonë po rriten në secilin vit”- ka thënë ai.