Kanali Ibër-Lepenc | Foto: Ndërmarrja Hidroekonomike "Ibër-Lepenc"

Qeveria rendit arsyet për shkarkimin e Bordit të "Ibër-Lepencit"

Mungesa e transparencës, mbipunësimi dhe nepotizmi i skajshëm janë disa nga arsyet që janë përmendur në vendimin e Qeverisë Kurti për shkarkimin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenci”.

Sipas këtij vendimi, drejtorët e shkarkuar nuk kanë vepruar në interesin më të mirë të ndërmarrjes, meqë nuk kanë adresuar siç duhet çështjet kyçe.

Bordi i shkarkuar Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc” përbëhej nga, Bashkim Shabani, kryesues bordi, Liridon Zogjani, anëtar bordi, Halil Gashi, anëtar bordi, Avdullah Isufi, anëtar bordi, Sahit Svirca, anëtar bordi, Muharrem Xhemajli, anëtar bordi.

Vendimi i Qeverisë Kurti për shkarkimin e Bordit të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” ka ardhur me propozim të ministres në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Si arsye e parë për shkarkimin e Bordit është përmendur që ndërmarrja ka çaluar në realizimin e projekteve madhore.

“Përgjatë tri viteve, prej se ka filluar implementimi i një projekti ndërkombëtar, janë disbursuar vetëm 2 për qind e mjeteve të parapara”, thuhet në vendim.

Së dyti, sipas këtij vendimi ndërmarrja “Ibër-Lepenci” po vuan nga mungesa e transparencës, mbipunësimi dhe nepotizmi i skajshëm.

“Kur krahasojmë kapacitetet e ndërmarrjes tonë me kompani të ngjashme jashtë vendit, vërejmë  se Ibër-Lepenci do të mund të operonte me më pak punëtorë”, vazhdon vendimi.

Në vendim thuhet se në vend se të zgjidhet problemi i mbipunësimit, “Ibër-Lepenci” ka planifikuar të rekrutojë njerëz të rinj, qoftë dhe kur ka shpenzuar 73 për qind të parave në rroga e mëditje, çka rrezikon rëndë mbijetesën afatgjate të ndërmarrjes.

“Drejtorët nuk po i adresojnë këto çështje, andaj duhet të shkarkohen”, përfundon arsyetimi i vendimit për shkarkim.

Bordi i përkohshëm i Ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” është emëruar dje, më 23 prill nga Qeveria Kurti.

Bordi i përkohshëm përbëhet nga katër anëtarë, Ajshe Zeneli- Bytyqi, kryesuese dhe drejtore, Alban Fetahu, drejtor, Bekim Selimi, drejtor dhe Nazmi Pllana, drejtor.