Foto: KALLXO.com

Qeveria reagon për bastisjen e shtëpisë së Jakup Krasniqi nga hetuesit e Speciales

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas bastisjen e sotme të EULEX-it në vendbanimin e ish-kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi.

Sipas komunikatës së tyre, Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj, “në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”.

Sipas tyre, njëjtë do të veprohet edhe kësaj radhe me Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

“Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente. Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, thuhet në komunikatë e Qeverisë së Kosovës.

Hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar mëngjesin e sotëm kanë nisur operacione në Prishtinë duke kryer bastisje edhe në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar të mërkurën se aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

Sipas tyre, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Jakup Krasniqi, ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

FOTOGALERI – Hetuesit e Speciales në shtëpinë e Jakup Krasniqit