Miroslav Lajcak dhe Besnik Bislimi/ FOTO: Miroslav Lajcak- Twitter

Qeveria reagon pas takimit Bislimi-Lajçak: Për BE-në është e qartë se hapja e urës së Ibrit s'ka alternativë

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me temat e diskutimit në takimin e zhvilluar më 17.09.2024 mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Sipas Qeverisë, “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.

Në komunikatën për media, theksohet se Bislimi ka thënë se ura duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese.

“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”- thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve, thuhet në njoftim.

Ndërsa theksohet se “Bislimi shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen”.

Po ashtu, është bërë e ditur se temë e diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja dhe liria e lëvizjes.

“Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final”- thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka pasur takim trilateral për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë.

“Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”- thuhet në njoftim.

Përfundojnë takimet dypalëshe, detaje nga zhvillimet në Bruksel

 

Para se të merrej vendimi për datën e takimit të sotëm, pati deklarime se ky takim ishte refuzuar nga pala serbe.

Zëvendëskryeministri Bislimi, të premten më 13.09.2024, ka deklaruar se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.