Ilustrim, Mbledhja e Qeverisë së Kosovë Foto: ZKM

Qeveria pritet të siguroj 25 milionë euro kredi për blerjen e vaksinave

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme nismën për të negociuar marrëveshjen për amendamentimin e kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për të financuar blerjen e vaksinave.

Amandamentimi i kësaj marrëveshjeje, synon që t’i siguroj 24 milionë euro të kredisë për blerjen e vaksinave.

“Me një vendim të miratuar në mbledhjen e sotme, është aprovuar nisma e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për negocim të Marrëveshjes për amendamentim të Marrëveshjes Kornizë të Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financim të projektit “Reagimi emergjent ndaj COVID-19”. Amandamentimi i marrëveshjes synon sigurimin e një shtese prej 25 milionë eurove të kredisë, që do të përdoret për blerjen e vaksinave kundër COVID-19”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në mbledhjen e Qeverisë tha se për këtë kredi, nuk do të paguhet asnjë tarifë angazhimi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia para disa ditësh tha në konferencë për media se paratë për vaksinat tashmë janë, mirëpo deklaronte se është dashur që procesi i negocimit të blerjes së vaksinave të niste shumë më herët.

I pyetur nga KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se kjo kredi do ta siguroj Qeverinë e Kosovës që të ketë mjete të mjaftueshme për vaksinat anti-COVID.

“25 milionë euro shtesë në kuadër të kredisë me Bankën Zhvillimore janë fonde në të cilat Republika e Kosovës mund të ketë qasje për shfrytëzim e të cilat të mendohen për vaksina dhe për pajisje mjekësore. Nuk ka kurrgjë kontradiktore e as keq, nëse Qeveria e Kosovës sigurohet që do të ketë mjete të mjaftueshme për vaksinat anti-COVID sa do dhe kurdo që ato të jenë të qasshme për neve”, tha Kryeziu në konferencë për media.