Foto: ZKM

Qeveria pritet të shqyrtojë projektligjin për luftimin e pandemisë, të inicuar nga Vjosa Osmani

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e ardhshme të saj që pritet të mbahet gjatë kësaj jave do të shqyrtojë Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.

Drejtori i Zyrës për Komunikim Publik në Qeverinë e Kosovës, Xhavit Beqiri ka thënë për KALLXO.com se projektligji në fjalë do të shqyrtohet sapo të mbahet mbledhja e parë e qeverisë.

I pyetur se pse ende nuk është shqyrtuar ky projektligj, ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të procedurave.

Ky projektligj është inicuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani që nga muaji prill, por për javë të tëra ishte bllokuar në Kryesinë e Kuvendit nga partitë politike, përderisa vetëm në qershor u procedua për mendim në qeveri.

Iniciativa e Osmanit kishte ardhur pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese [vendimi që i shpalli anti-kushtetuese vendimet e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes] përmes së cilit ia rikujton Kuvendit detyrimin “qoftë përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit ekzistues të zbatueshëm ose përmes miratimit të ndonjë ligji të ri, të përcaktoj mekanizmat dhe autorizimet më të përshtatshme, në mënyrë që autoritetet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura dhe të nevojshme për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19”.

Për zvarritjen e shqyrtimit të këtij projektligji kanë reaguar edhe nga kabineti i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Këshilltari i saj, Artan Murati ka deklaruar se projektligji në fjalë është bllokuar nga subjekte politike që tani janë në pushtet.

“Po shoh disa reagime ku fajësohet Kuvendi lidhur me mos-miratimin e ligjit për pandeminë. Ndonëse vendimmarrja në Kuvend është kolektive, në këtë rast, adresa e bllokimit të ligjit është e njohur. Shkurt edhe shqip: Projektligji për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë është i gatshëm që nga muaji prill”, ka shkruar ain ë Facebook.

“Që atëherë, ky projektligji fillimisht u bllokua në Kryesi të Kuvendit (dihet nga kush), për arsye të pastërta politike, e që nga 11 qershori qëndron në sirtarët e Qeverisë, pavarësisht nevojës urgjente për trajtim të duhur të pandemisë. Ky projektligj është bllokuar nga subjekte politike që tani janë në pushtet”, ka shtuar ai.

Murati ka theksuar se “absolutisht” nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për ta menaxhuar dhe parandaluar pandeminë, dhe se sipas tij ligji është i domosdoshëm.

Pas rritjes në mënyrë drastike të rasteve të konfirmuara me coronavirus në Kosovë, Qeveria ka marrë vendim për disa masa përfshirë, kthimin e kufizimit të lëvizjes në disa komuna.

Ky vendim sipas Xhavit Beqirit nga Zyra për Komunikim e Qeverisë, është marrë në bazë të Ligjit për Sëmundjet Ngjitëse, pas sugjerimeve të ekspertëve shëndetësor.

Deri më tani në Kosovë, me coronavirus janë infektuar 3,508 persona, janë shëruar 1,902 dhe kanë vdekur 75 pacientë.
 

https://kallxo.com/lajm/perkunder-mospajtimeve-vjosa-osmani-insiston-ne-nismen-legjislative-per-pandemine/