Kabineti i Qeverisë së re të Kosovës - Foto: Albin Kurti/ Facebook

Qeveria pritet të hartojë kontratën e re kolektive

Qeveria e Kosovës është në përgatitje të hartimit të kontratës së re ndërsektoriale kolektive.

Kështu ka njoftuar sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas miratimit të Projektligjit për Zyrtarët publikë dhe Projektligjit për Pagat.

Ai ka thënë se kontrata do të hartohet në përputhje me mundësitë buxhetore për pagat e reja për punonjësit në Republikën e Kosovës.

“Doja të ju njoftoja publikisht se që Qeveria po përgatitet për hapjen e dialogut intensiv mbi diskutimin e kontratës së ardhshme ndërsektoriale kolektive për punonjësit tanë. Deri më tani ka pasur kontrata kolektive të fragmentuara dhënë pak sektor, jo më shumë se në dy, ato kanë qenë të hartuara pa u përfillur çështja e kostos buxhetore. Ne do të paraqesim së shpejti paketën e re për kontratën ndërsektoriale në Republikën e Kosovës në përputhje me mundësitë buxhetore për pagat e reja” – ka thënë Kurti.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e ka shkëputur Kontratën Kolektive të nënshkruar në vitin 2021 me Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK).

SBASHK-u e ka quajtur jo-ligjor vendimin e MASHTI-t për shkëputje të kontratës kolektive.

Kontrata kolektive në fushën e arsimit për herë të parë hyri në fuqi më 18.04.2017, dhe u vazhdua më 21.01.2021. Këto kontrata kolektive, që konsiderohen ndër arritjet kryesore të sindikatave, janë nënshkruar kryesisht në prag të zgjedhjeve.

Kontrata kolektive ka paraparë përfaqësim të interesit të punëtorëve përmes SBASHK-ut në nivel të politikbërjes në nivel qendror dhe lokal. Përveç kësaj, Sindikata mund të ketë përfaqësim dhe pjesëmarrje në cilësinë e monitoruesit pa të drejtë vote në komisione vlerësuese, në përzgjedhje të punonjësve të arsimit në të gjitha nivelet, nga ai parafillor në atë universitar.

Po ashtu, Kontrata kolektive, punëtorëve të arsimit iu njohu kompensimin mbi bazën e licencimit, për shujtë, udhëtim dhe pagë jubilare. Realizimi i këtyre të drejtave nuk është bërë në mënyrë të njëjtë nga të gjithë mësimdhënësit, sepse punëdhënësi ka refuzuar që t’i zbatojë.

SBASHK-u e quan jo-ligjore shkëputjen e kontratës kolektive nga MASHTI