Qeveria pritet të deklarohet për deklaratën e deputetes Pacolli
Qeveria e Kosovës pritet të deklarohet për deklaratat e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Deputetja Fitore Pacolli, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë thirrje për “kontroll qeveritar” mbi mediat.
Në një reagim, AGK së bashku me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, janë shprehur të shqetësuar pas fjalimit të deputetes Pacolli.
“Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend”, është thënë në këtë reagim.
Tutje është shtuar se mediat, që sipas AGK-së shumica janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe KMSHK-së.
Në reagim është thënë se çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre dhe se ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave.
AGK dhe KMSHK reagojnë ndaj thirrjeve të deputetes së LVV-së për “kontroll qeveritar” mbi mediat