
Foto: Tatimi në pronë
Qeveria premton tatim progresiv për pronat
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria është në proces të hartimit të Ligjit të ri për pronat, e që në këtë ligj, sipas tij, do të ketë tatim progresiv për pronat.
Duke folur para gazetarëve në një konferencë për media, Murati ka thënë se aktualisht komunat sipas ligjit aktual, tatimin për pronat e kanë të sheshtë.
“Ideja me këtë ligj është që të ketë tatim progresiv, edhe për shkak se kanë interval komunat aktualisht, tatimi është i sheshtë. Domethënë si për atë që i ka 100 mijë euro prona, si për atë që i ka 50 mijë, si për atë që i ka pesë milionë euro prona, komuna mund ta caktojë një normë tatimore të shesht, e që kjo duhet të ndryshojë” – ka deklaruar Murati.
Tutje, Murati ka thënë se fillimisht me ligjin e ri do të rritet tatimi për pronat primare apo banimin primar residencial.
“Aktualisht me ligj është 15 mijë euro, ideja është që të rritet kjo hapësirë. Pastaj të ketë progresivitet, që ata kanë shumë prona që i kanë 10 banesa që i mbajnë pa i shfrytëzu, në anën tjetër çmimet janë të larta se nuk ka ofertë në treg, se dikush ka vendosë që t’i mbajë banesat se nuk i kushton asgjë me i mbajtë të pashfrytëzuara, kjo nuk duhet të vazhdojë më” – ka thënë ai.
Sipas Muratit, tatimi progresiv ndihmon në zgjidhjen e këtij problemi, duke synuar që të ketë një shtrirje më të barabarë dhe më të drejtë edhe të pronësisë, në atë mënyrë sipas tij, që të mos ketë bllokim të kapitalit nga disa persona.
Ministri Murati ka thënë se Ligji i ri për pronat është në fazën finale.
Ai në këtë konferencë për media ka folur edhe për çështjen e tatimit në pronë, duke thënë se ministira e tij nuk ka rritur tatimin, por ka bërë një vlerësim real të pronave. Murati ka thënë se i takon komunave të vendosin për shkallën tatimore se sa duhet të jetë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria nuk ka rritur tatimin në pronë, por ka bërë një vlerësim real të pronave.
Përmes një konference për media, ministri Murati tha se iu takon komunave që të vendosin për shkallën tatimore se sa duhet të jetë.
Ministri Murati ka bërë të ditur se ligji e obligon Ministrinë e Financave që të bëjë vlerësimin e pronave, ndërsa komunat i obligon që të caktojnë shkallën tatimore.
Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.
AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.
“Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave, pa u rritur fare norma tatimore nga komunat, është rritur automatikisht vlera e faturës së tatimit në pronë” – thuhet në reagimin e AKK-së.