Qeveria po dialogon për njohje reciproke, por Agim Veliu i referohet shtetit fqinj me 'Republika e Serbisë'

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti disa herë tashmë e ka potencuar se nga dialogun më Serbinë presin njohje reciproke dhe asgjë më pak nga kjo.

Për këtë, kjo qeveri ka emëruar edhe një koordinator për dialog.

Qeveria Hoti punën e koordinatorit për dialog me Serbinë ia ka besuar anëtarit të LDK-së Skënder Hyseni.

Edhe ky i fundit ka deklaruar se dialogu duhet të përfundojë ose me njohje reciproke, ose do të dështojë tërësisht.

Por edhe pse në Bruksel e ShBA koordinatori i qeverisë Hoti po shkon për njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo temë po duket të jetë e kryer tashmë për ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu, i cili jen nga LDK.

Veliu në një postim të tij në Facebook Serbisë i referohet si “Republika e Serbisë’.

“Nga Gjenerali Risi u njoftova se KFOR-i ishte alarmuar për këtë̈ incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët”, ka shkruar ministri Agim Veliu.

 

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme 11 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe janë parë duke lëvizur rrugëve të fshatit Karaçevë – Kamenicë, brenda territorit të Republikës së Kosovës. Kjo nxiti reagime të shumta, si nga banorët e këtij vendbanimi dhe poashtu edhe të zyrtarëve shtetëror e të atyre nga partitë politike.