Pasaporta

Qeveria planifikon 600 mijë euro buxhet për sistem për letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shoferë

Nisur nga muaji shkurt i vitit të ardhshëm deri në dhjetor të vitit 2024, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), pritet të furnizohet me sistem për letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shoferë.

Ky furnizim, projekt i ri kapital, është paraparë nga Qeveria e Kosovës në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2023.

Ky buxhet është ende draft, dhe pritet të marr dorën e fundit nga Kuvendi i Kosovës, ku veçse është miratuar në parim nga deputetet në seancën e mbajtur më datë 17 nëntor 2022.

Lidhur me buxhetin për vitin 2023, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ka thënë se projektligjin e miratuar për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023, është në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Sipas Kurtit, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, Qeveria ka rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë e duke shtuar 300 pozita të reja për Policinë.

Derisa, në shëndetësi janë ndarë 296 milionë euro.

Prioritet tjetër është edhe fusha e arsimit ku pritet ndërtim i 11 kopshteve dhe shtim të 500 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara.

Në bujqësi, sipas Kurtit, për herë të parë buxheti arrin vlerën 87 milionë euro.

Kurti më tej shtoi se kanë ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për vitin 2023, për rezervat shtetërore, e 6 milionë euro për terminalet doganore shtetërore.

Derisa, 40 milionë euro për investime për mbështetjen e ndërmarrjeve publike.

Sa i përket mirëqenies sociale, 60 milionë euro janë ndarë për shtesat për lehona e për fëmijë.