Qeveria për objektin e Hemato-Onkologjisë dhe Nefrologjisë: Do të ndërtohet 1 vit para kohe 

Edhe pse s’u futën në vendpunishte, helmetat i vendosën e jelekët i veshën për të treguar që punimet për ndërtimin e objektit të Repartit të Hemato-Onkologjisë dhe Klinikës së Nefrologjisë “po kryhen një vit më herët se që ishte planifikuar.’

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan këtë vendpunishte dhe njoftuan për ecurinë e projektit.

“Afati i kontratës 48 muaj, kohëzgjatja e implementimit 36 muaj, por neve këtu na u tha që kjo do të shkurtohet dhe në fakt synimi është që të përmbyllet për 24 muaj” – tha Kurti.

Kostoja e këtij projekti të nisur më 02.05.2024 është afër 4.3 milionë euro, me sipërfaqe 3 mijë e 760 metra katrorë.

I ndarë në tri kate, bodrumi i objektit do të ketë pjesën diagnostike, pritoret, depon për materiale shpenzuese e shërbimet teknike. Në katin përdhesë do të jetë e vendosur Nefrologjia e në katin e parë Hemato-Onkologjia.

Me ndërtimin e këtij objekti, Qeveria synon edhe ofrimin e shërbimeve të reja, që nuk ofrohen në Kosovë.

“Është shërbimi i plazmaferezës që për herë të parë do të ofrohet në Kosovë dhe po angazhohemi që të ofrohet edhe biopsia e veshkës. Tjetra është transplantimi autolog i palcës koncokore për leukemitë akute, një mundësi që më parë siç e fillova këtë fjalë timen, i dërgonte pacientët tanë jashtë vendit për trajtim” – njoftoi kryeministri.

Drejtoresha e Klinikës së Hematologjisë, ku bën pjesë edhe reparti i Hemato-Onkologjisë, Afërdita Ukimeraj tha se kjo klinikë ka nevojë të domosdoshme për zgjerim të hapësirave, për trajtim sa më dinjitoz të pacientëve.

Ministri Vitia tha se çdo renovim e ndërtim të ri po e bëjnë me kushte bashkëkohore duke përfshirë edhe digjitalizimin, pasi që tha se po punojnë vazhdimisht për Sistemin Informativ Shëndetësor, si parakusht për sigurimet shëndetësore.