Albin Kurti, Miroslav Lajçak, Jens Plotner, Emmanuel Bonne FOTO: ZKM

Qeveria pas takimit me zyrtarët e BE-së dhe Francës e Gjermanisë: Shprehëm gatishmërinë për dialog

Në takimin e kryeministrit Albin Kurti, me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne është theksuar se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën për media të zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas komunikatës, Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

“Ai falënderoi z. Lajçak, si dhe këshilltarët Plotner dhe Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë” – thuhet në komunikatën për media të kryeministrisë.

Tutje sipas komunikatës, gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim ishte i mbyllur për media, ndërsa pas përfundimit të tij, emisari i BE-së Lajçak tha se kanë diskutuar për dialogun por pa dhënë detaje.

“Kaluam më shumë se dy orë me kryeministrit Kurti diskutuam për dialogun dhe rreth asaj se të sjellim dinamika të reja që ta dërgojmë procesin përpara. Ishte një diskutim i thellë rëndësishëm dhe besoj se mund ta kuptoni se nuk mund t’i bëjmë të ditura detajet sepse të njëjtat diskutime do t’i kemi sot edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, tha shkurt ai.

Pas takimit me Kurtin, delegacioni në fjalë do të udhëtojnë në Beograd ku pritet ta takojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zyrtari gjerman dhe ai Francës vinë në Kosovë pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.

Lajçak nuk pranon të jap detaje për takimin me kryeministrin Kurti