I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe dy negociatorët, Skender Hyseni nga Kosova dhe Marko Gjuriq nga Serbia.

Qeveria: Nuk pati përafrim në Bruksel për pensionet dhe kadastrin

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se me ndërmjetësim të emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka  zhvilluar sot në Bruksel, takimin e radhës me delegacionin e Serbisë.

Sipas komunikatës, temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.

“Në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin”, thuhet në komunikatën e ekzekutivit kosovar.

Tutje theksohet se “përkundër diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve”.

“Por megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme,  pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve,  të vazhdohet në takimin e radhës”, përfundon komunikata.

Javë më parë është anuluar një takim në Bruksel në nivel të udhëheqësve të të dyja vendeve, me arsyetimin për shkak të gjendjes me pandeminë.