Mitrovica e Veriut, foto nga arkivi

Qeveria njofton se ka ndaluar qarkullimin nga 21:00 deri në 05:00 për 4 komunat e veriut

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Qeverisë në formë elektronike ka marrë vendim që të ndalojë qarkullimin nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit në 4 komunat e veriut.

“Me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të pandemisë COVID-19, Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që duke filluar nga data 8 korrik 2020, nga ora 21:00 deri në orën 05:00, të ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Mirëpo, një njoftim të tillë e kishte dhënë gjatë ditës së djeshme zëvendës kryeministri i Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Goran Rakiq, ndonëse nuk ka pasur vendim të Qeverisë.

“Nga sot deri në javën tjetër nga 21:00 pasdite deri në 5 të mëngjesit, lëvizja e të gjithë personave është e ndaluar, përveç atyre personave që janë përgjegjës për luftimin e pandemisë dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në vendimin e Shtabit të Krizave të komunave në veri të Kosovës, bazuar në rekomandimet e profesionistëve”, është thënë në një komunikatë të lëshuar dje nga shtabi emergjent i këtyre katër komunave.

Liria e lëvizjes kufizohet edhe në katër komunat veriore

“Ky vendim është propozuar nga Ministri i Shëndetësisë pas kërkesës, e cila është bërë nga kryetarët e këtyre komunave, të cilët kryesojnë shtabet lokale në Komunën Mitrovicës së Veriut, Komunën e Zubin Potokut, Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zveçanit”, thuhet tutje në komunikatën e sotme të Qeverisë.