Qeveria nis ndarjen e 170 eurove në muaj për gratë lehona

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për medie, kanë folur në lidhje pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Gratë lehona do të marrin nga Qeveria nga 170 euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se mbështetja për gratë lehona është e ndarë në dy kategori, ato që janë të papuna që do marrin 170 euro për 6 muaj dhe të punësuarat që do marrin 170 euro për 3 muaj. Kjo pagesë do të bëhet krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë.

“Këto masa mundësojnë ngritjen e pozitës së gruas në shoqëri masa 3.5 ka të bëjë për lehonat dhe shtesat për fëmijët, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Mbështetja e lehonave është në dy kategori ato të papuna dhe ato të punësuara. Ato të papuna që të mbështeten financiarisht do të marrin 170 euro për gjashtë muaj, ndërsa ato të punësuara do të marrin 170 euro për tre muaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këtë premtim po e realizojnë ende pa i bërë gjashtë muaj në qeverisje

Kurti tha se ata janë zotuar për mirëqenie të qytetarëve dhe me këtë edhe do vlerësohen

“Sot po realizojmë një zotimin pa u bërë ende 6 muaj në qeverisje. Përpos premtim zgjedhor kjo mbështetje për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i kësaj qeverie. Ne jemi zotuar para qytetarëve se do ta rrisim mirëqenien e tyre dhe do ta ulim varfërinë. Këto janë ndër kriteret më të rëndësishme me të cilat do të vlerësohemi”, tha Kurti

Kurti potencoi se duan t’i mbështesin gratë pasi nuk mund të ketë barazi në një shoqëri ku gjysma nuk trajtohet si e tillë.

“Në duam t’i mbështesim gratë sepse synojmë shoqëri të barabartë, nuk mund të ketë barazi shoqërore kur gjysma nuk trajtohet ashtu. Me këtë formë të mbështetjes po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri, po kujdesemi për mirëqenien dhe pavarësinë e saj financiare në një kohë kur ajo kujdeset për fëmijën e posa lindur”, ka shtuar Kurti.

Sipas tyre, njëkohësisht, këtë muaj fillon edhe shpërndarja e shtesave për fëmijë që do të përfshijnë fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe 2021 me nga 20 euro në muaj. Gradualisht, me fillim nga janari i vitit 2022 do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16-vjeçare, për të cilat vlera e shtesës është 10 euro në muaj.

Nënat e reja mbi 18 vjeç që kanë lindur foshnjën nga data 1 gusht 2021, duke filluar nga nesër mund të aplikojnë duke plotësuar formularin për aplikim në platformën elektronike E-Kosova me të dhënat personale të aplikueses, numrin e llogarisë bankare dhe numrin personal të foshnjës. Njëlloj realizohet edhe aplikimi për shtesat për fëmijë.

“Shtesat e fëmijëve do të bëhet, fillimisht hapet aplikimi për fëmijët e lindur nga 1 janar 2020, ndërsa nga viti 2022 shtohet grup-mosha nga viti i lindjes 2018. Kjo dinamikë mund të ndryshojë, mund të fillojë më shpejt. Përfituesi i shtesave të fëmijëve është nëna. Aplikimi bëhet online përmes E-kosova”, shtoi tutje Murati.