Qeveria nesër pritet të vendosë për çerdhet, gastronominë dhe izolimin, apo jo të atyre që kthehen nga tri shtete fqinje

 

Situata me COVID-19 në vend mbetet alarmante. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë konfirmuar edhe 276 persona rezultuan pozitiv nga 404 mostra, duke e quar numrin e të infektuarve në 7,413.

Në anën tjetër, ministri Shëndetësisë Armend Zemaj ka paralajmëruar se nesër gjatë ditës pritet të vendosen masa të reja, pas rishikimit të situatës me pandeminë COVID-19.

Kallxo.com merr vesh jo zyrtarisht se ndër masat që nesër pritet të diskutohen në mbledhjen e qeverisë janë edhe hapja, apo jo e çerdheve, e poashtu edhe izolimi apo jo i personave që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Kallxo.com merr vesh se hapja e çerdheve do iu lihet në kompetencë dhe vlerësim të vet komunave nëse ka kushte që të hapen apo jo.

Po ashtu në mbledhjen e qeverisë pritet të vendoset edhe për masat për të gjithë ata persona që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Siç merr vesh KALLXO.com, nëse një person bën hyrje dalje brenda 48 orëve nga tri shtetet fqinje të lartpërmendura nuk do ketë nevojë për vetizolim.

Por nëse ata persona kanë qëndruar në tri shtetet fqinje më gjatë se 48 orë, pastaj në momentin e hyrjes së tyre në territorin e Kosovës do të obligohen për vetizolim për 7 ditë.

Poashtu pritet të diskutohet dhe vendoset që sektorin e gastronomisë nëse do t`i lejohet apo jo që të punojë edhe për një orë më gjatë, nga ora 21:00 sa ishte deri më tani, t`i lejohet apo jo që të punojë deri në ora 22:00.