Qeveria: Negociata me MCC-në për projektin energjetik më të madh që nga paslufta

Qeveria e Kosovës njoftoi të shtunën se kanë nis negociatat me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për projektin i cili, siç është thënë, është më i madhi që nga paslufta.

Projekti kalon shumën e 200 milionë dollarëve ndërsa parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Këto deklarime vijnë pas takimit të parë në vizitën e tij zyrtare të kryeministrit, Albin Kurti në ShBA.

“Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright”, njofton ZKM.

“Ky takim shënon fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, i cili kalon shumën e 200 milionë dollarëve dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë”, thekson njoftimi.

Në takimin e përbashkët me kryeministrin mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli, Koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit Kompakt me MCC, Lum Mita, ndërkaq nga përfaqësuesit e MCC-së, morën pjesë Jonathan Brooks, zëvendëspresident për programet në Europë, Azi, Paqësor dhe Amerikë Latine,

Thomas Kelly, zëvendëspresident për politika dhe vlerësim, si dhe Paula Garcia Tufro, shefe e stafit të kryeshefes Albright. ​