Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria në lidhje me refuzimin e projektit të gazit: Kostoja nuk ka qenë e qartë

Ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli nga Kuvendi i Kosovës ka shpjeguar çështjen e refuzimit të projektit te gazit.

Sipas saj, ky refuzim ka ardhur pasi që kosto e gazsjellësit nuk ka qenë e qartë.

“Kosto […] parashihet me një kontigjencë 40%, që do të thotë që kjo kosto 104 milionë dollar mund të ngritët deri në 145.6 milionë dollar”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka shpjeguar se projekti i dizajnuar nga qeveritë e kaluara dhe MCC ka paraparë që gazsjellësi Shkup – Prishtinë, një gyp transmisioni me kosto 104 milionë dollar të ndërtohen me kredi nga BERZHI dhe grand nga WBF – ja. 80% kredi nga BERZHI, të cilën do ta merrte Qeveria e Kosovës dhe 20% grand nga WBF – ja.

“Kosto në këtë fazë nuk ka qenë e qartë, sepse studimi i fizibilitetit ka qenë ende duke ndodhur”, shtoi ajo.

Madje ajo tregoi se disa investitor që i ka kontaktuar kjo ministri nuk kanë shprehur interesim fare, për shkak të politikave të shteteve të tyre ose për politika të veta, në lidhje me gazin.

Ministrja ka shtuar se disa investitorë të tjerët nuk kanë treguar interesim me kushte të pafavorshme.

Për këtë refuzim të projektit të gazit, gjatë seancës ka folur edhe Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili këtë refuzim e sheh si të rrezikshëm për Kosovën.

Madje, Haradinaj këtë refuzim e sheh një nga arsyet se përse duhet që Qeveria Kurti të jap dorëheqje.

“Kurti lëkundi miqësinë me Amerikën dhe thirrja për dorëheqje e kësaj qeverie dhe njësisht para dorëheqjes ta rikthejnë vendimin për gazin”, tha Haradinaj.