QKUK

Qeveria: Ndoshta për arsye politike Valbona Bislimi ka qenë një neonatologe e papunë deri tash

Valbona Bislimi, motra e zëvendës-kryeministrit të parë në Qeverinë e Kosovës Besnik Bislimi, është njëra ndër dy kandidatët që janë përzgjedhur si kandidate të suksesshme në konkursin e fundit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës për specialiste të neonatologjisë.

Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për këtë pozitë pune kanë qenë dy vende të lira pune dhe të dy kandidatët që kanë konkurruar janë përzgjedhur.

SHSKUK në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ky konkurs është hapur pasi janë shtuar kërkesat për specialistë të Neonatologjisë me hapjen e spitalit pediatrik-kirurgjik “Sheikha Fatima”.

“Për shkak të hapjes së Spitalit të ri Kirurgjik Pediatrik dhe nevojës për staf shtesë mjekësor, Klinika e Neonatologjisë ka bërë kërkesë për hapje të konkursit, e cila nga Zyra e Personelit në QKUK është hapur dhe proceduar sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së Shërbimit Spitalor.

Gjithashtu, SHSKUK kanë bërë të ditur se në Kosovë kanë qenë të papunë vetëm dy specialistë të neonatologjisë dhe të dy janë punësuar në këtë konkurs.

Po ashtu, SHSKUK ka deklaruar se në shtatë vitet e fundit nuk ka pasur specializime shtesë përkundër që kjo klinikë ka nevojë shumë të madhe për këta mjekë.

“Sipas informatave nga Klinika e Neonatologjisë përkundër nevojës së madhe për specialist të neonatologjisë kanë qenë vetëm 2 specialiste të neonatologjisë pa punë, meqë 7 vjet nuk ka pasur specializime në këtë fushë dhe nuk ka specialist tjerë pa punë, edhe pse Klinika e Neonatologjisë ka nevojë edhe për specialistë shtesë!”, thuhet më tej në përgjigje.

Konkursi për këto pozita është hapur më 9 shkurt të këtij viti ndërsa për këtë pozitë, të punësuarit do të marrin pagë me koeficient 8.4

KALLXO.com ka kontaktuar përmes rrjetit social Facebook, Valbona Bislimin, por deri në momentin e publikimit të këtij artikuli, redaksia e KALLXO.com nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Për punësimin e Valbona bislimit KALLXO.com ka telefonuar edhe zëvendës-kryeministrin e parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimin por nuk ka qenë i qasshëm. KALLXO ka kontaktuar Bislimin përmes një mesazhi dhe i njëjti e ka parë por nuk ka treguar bashkëpunim që të japë qëndrimin e tij.

KALLXO.com ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë punësim dhe të njëjtit kanë deklaruar se mund të kenë ndikuar arsyet politike që Valbona Bislimi deri më tash ka qenë e papunë.

“Valbona Bislimi është një nga neonatologet e pakta në Kosovë. Ajo ka qenë një nga dy aplikuesit për dy pozitat e hapura në Klinikën e Neonatologjisë. Të dy janë pranuar – jo për arsye politike por shkak nevojës për neonataloge në Klinkë. Ndoshta për arsye politike znj. Valbona Bislimi ka qenë një neonatologe e papunë deri tash”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Tutje Qeveria në përgjigjen e tyre thonë se punësimet partiake që kanë ndodhur në të kaluarën nuk duhet të projektohen te Qeverisja Kurti 2.

Sipas tyre, kjo ndërlidhje po bëhet për t’i thënë Qeverisë se nuk po dallojnë nga të tjerët dhe jo për të eliminuar ato praktika punësimesh.

“Praktikat abuzive të punësimeve vetëm mbi baza partiake apo familjare që kanë ndodhur në të kaluarën nuk mund te projektohen tek qeverisja jonë. Kur ajo provohet të bëhet, bëhet jo për të dëshmuar se ato praktika janë të dëmshme dhe duhet të eliminohen por për të thënë që ju nuk dalloni nga të tjerët. Pra në qendër mund të jetë shfajësimi ose relativizimi i atyre praktikave të mëhershme, por jo eliminimi i tyre apo mirëqeverisja”, përfundon Qeveria.