Qeveria ndau 24 milionë euro për subvencionim të pagave të punëtorëve

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka njoftuar se me vendim të Qeverisë janë shpërndarë 365 milionë euro nga fondi për rimëkëmbie ekonomike.

Sipas njoftimit të kryeministrit, janë shpërndarë fondet si në vijim:

60 milionë për Fondin për Garanci Kreditore që ju mundëson bizneseve të marrin më lehtë kredi; 30 milionë për koston e riprogramimit të kredive të bizneseve; 26 milionë për dyfishim të subvencioneve në bujqësi; 24 milionë subvencionim të pagës për punëtorë; 17 milionë për ndërmarrje publike që kanë vështirësi financiare; 10 milionë për sektorin e arsimit; 10 milionë për komuna; 5 milionë për programe rinore, për profesionistë kulturorë dhe federata sportive; 2 milionë për punësim të grave; 2 milionë për zhvillim rural.

Hoti ka shkruar se në ditët në vijim ministritë përkatëse do të përgatisin kriteret për të shpërndarë këto mjete.

“Sipas premtimit, do të sigurohet transparencë maksimale për shpërndarjen e këtyre fondeve, duke i përfshirë gjerësisht odat ekonomike, profesionistët e pavarur, komunat, partnerët tanë zhvillimor”, ka shkruar Hoti.