Qeveria ndan afër 3 milionë euro për RTK-në

Qeveria në detyrë e Kosovës, ka ndarë mjete financare në vlerë prej dy milionë e tetëqind mijë euro (2,800,000.00 €), që përfaqëson shumën tremujore të ndarjes buxhetore për vitin 2021, për periudhën Janar – Mars 2021, për Radio Televizionin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Qeverisë, kjo shumë e ndarë për RTK-në do të jetë subjekt i rishikimit nga Komisioni përkatës për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Republikës së Kosovës, menjëherë pas themelimit të tij.

Nëse ky komision konsideron se këto ndarje nuk janë të pranueshme, obligohet Thesari i Republikës së Kosovës që të bëjë ndalesën dhe të kompensojë këtë shumë nga tremujorët vijues, me qëllim që vetëm shuma e aprovuar nga Komisioni të mund të shpenzohet dhe arsyetohet brenda vitit fiskal 2021 nga RTK.