Mbledhja e Qeverisë. Foto: MKRS

Qeveria ndanë 13 milionë euro për Rimëkëmbje Ekonomike

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 34-të me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar rregullore dhe vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për ndarjen e 13 milionë euro për programin për rimëkëmbje ekonomike në kategorinë e “Subvencioneve dhe Trasfereve”.

Gjithashtu, është plotësuar dhe ndryshuar vendimi i Qeverisë për të siguruar që përfitues nga programi i masave për rimëkëmbje ekonomike të jenë edhe të vetpunësuarit.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për zbatimin e Masës-9 për rimëkëmbje ekonomike sipas planit detajuar me fokus në komunitetet jo-shumicë, të cilin e ka përgatitur Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Plani përmban objektiva konkrete të mënyrës së zbatimit si dhe kritere të qarta për shfrytëzuesit, kushtet e aplikimit dhe format për vlerësim, zbatim dhe monitorim të procedurës për realizimin e masave.

Objektivi i parë synon sigurimin e nevojave themelore të jetesës për personat në nevojë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, ndërsa objektivi i dytë synon zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia e virusit COVID-19 ndaj ndërmarrjeve të vogla, kurse objektivi i tretë ofrimin e shërbimeve të gerontologjisë personave në nevojë nga komunitetet jo-shumicë; dhe objektivi i katërt ngritjen e vetëdijes tek banorët me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit COVID-19.