Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Qeveria ndan rreth 11 milionë euro për implementimin e pakos emergjente

Në mbledhjen e 32-të të Qeverisë së Kosovës, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale.

Në harmoni me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2020, Ministria e Financave dhe Transfereve, ka kërkuar nga Qeveria që të aprovojë vendimin për ndarjen e 10 milionë e 900 mijë eurove për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin e datës 30 mars 2020.

9 milionë e 400 mijë euro janë ndarë për Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe 1 milion e 500 mijë euro për Ministrinë e Financave dhe Transfereve.

“Mjetet e ndara do të merren nga kontigjenca në Ministrinë e Financave dhe Transfereve në kategorinë e shpenzimeve dhe mallrave dhe nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.