Qeveria ndan mjete shtesë për mbajtjen e zgjedhjeve

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim t’ia ndajë 165.850 euro shtesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas komunikatës dërguar mediave, kjo ndarje është bërë pas kërkesës së 8 janarit të këtij viti nga KQZ-ja.

“Qeveria ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për alokim të parakohshëm në të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 165 mijë e 850 euro”, thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. Ato vijnë pasi që Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti dhe rrjedhimisht jokushtetuese zgjedhjen e Qeverisë.