Qeveria ndan mbi 300 mijë euro për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e 108-të. Mbledhja është mbajtur në mënyrë elektronike.

Në këtë mbledhje, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Qeveria ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën 310,183 euro për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Qeveria gjithashtu mori vendim për shpërndarjen e Kuvendit Komunal të Zveçanit dhe Kuvendit Komunal të Leposaviqit për shkak të jofunksionalitetit të tyre dhe si pasojë, pamundësisë së ushtrimit të kompetencave ligjore.

Po ashtu është miratuar edhe kërkësa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore në shumën prej 5,705,039 eurove.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe rregullorja për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

Sipas njoftimit, kjo rregullore përcakton strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, si dhe kriteret themelore të organizimit, gradimit dhe funksionimit të tyre.

Më tej, Qeveria njofton se ka miratuar edhe vendimin për të kërkuar nga presidentja e Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes Implementuese ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Ministrisë së Mbrojtjes në emër të Qeverisë së  Republikës së Kosovës, lidhur me atashimin e personelit nga Forca e Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në Ishujt Falklands.