Qeveria ndan edhe 4.14 milionë euro për minierat e Trepçës

Qeveria e Kosovës ka ndarë 4.14 milionë euro për minierat e Trepçës, në mbledhjen e njëjtë ku ndau edhe 4 milionë të tjera për pagat e minatorëve, një ditë pasi Sindikata e Pavarur e Minatorëve ka paralajmëruar protestë para ekzekutivit kosovar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete merren nga kategoria “Subvencione dhe transfere” në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

Kryeministri, Albin Kurti tha se 4 milionët u ndanë pasi ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat, dhe se punëtorët kanë mbetur që 3 muaj pa paga.

“Për ndërmarrjen publike Trepça do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerra” – tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 14.08.2024.

Kurti tha se duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka.

Minatorët e Trepçës kanë bojkotuar punën që nga data 10.07.2024 pasi ndërmarrja nuk ua paguajti pagat.

Pas ndarjes së mjeteve nga qeveria, minatorët janë tërhequr nga protesta.