Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. FOTO: Zyra e Kryeministrit.

Qeveria ndan 70 mijë euro për promovimin e librit 'Reçaku', ministri Rashiq abstenon

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për ndarjen buxhetore në vlerë prej 70 mijë eurove për promovimin e librit ”Reçaku”.

Kurti kujtoi se këtë të diele bëhen 24 vite nga masakra e Reçakut dhe tregoi se libri do të shkruhet nga ish-udhëheqësi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

“Këtë të diele bëhen 24 vite nga masakra e Reçakut që tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Para jush keni propozim vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për editimin, hulumtimin, shkrimin, përkthimin dhe shtypjen e librit të ambasadorit William Walker rreth masakrës së 15 janarit 1999 në Reçak dhe peshës historike të ngjarjes” – deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit tha se libri do të përshkruaj ngjarjet e ndërlidhura me masakrën e Reçakut të paraqitura nga këndvështrimi i Walker, të treguara nga perspektiva e tij personale si shef i misionit verifikues të BE-së.

Pas hedhjes në votim të propozim-vendimit për ndarjen buxhetore të librit “Reçaku”, i gjithë kabineti qeveritar ishte pro, mirëpo ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka abstenuar.