Foto: Geri Emiri/BIRN

Qeveria ndan 500 mijë euro për ndihmë në Shqipëri

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndaj 500 mijë euro për ndihmë në Republikën e Shqipërisë pas tërmetit të sotëm.

Ky vendim është marrë në mbledhjen urgjente të Qeverisë së Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka propozuar qe të ndahen 500 mijë euro për ndihmë në Republikën e Shqipërisë.

“Ministria e Financave i propozon Qeverisë së Kosovës që të ndahet fillimisht një shumë prej 500 mijë euro për Republikën e Shqipërisë për sanimin e dëmeve”, tha Hamza.

Ky vendim me shumicë votash u aprovua në këtë mbledhje nga kabineti qeveritar.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka informuar për situatën e deritanishme nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë sot.

Xhaçka në një konferencë për media tha se i gjithë shteti është në këmbë, ndërsa u shpreh se po mblidhen raportime nga çdo qark për të përllogaritur dëmet.

Ajo ka shtuar se deri më tani janë shënuar 135 të lënduar dhe se deri më tani kanë humbur jetën 7 persona.

“Deri tani janë 135 të lënduar dhe 12 shtrime në spitalin e Durrësit, 60 në QSUT dhe rastet janë duke u shtuar. Janë konfirmuar 7 jetë të humbura, 3 në Durrës, një në Lezhë e një në Kurbin. Operacionet vazhdojnë. Jemi pranë me mendje dhe me zemër të afërmve dhe familjarëve të tyre. Jemi ende duke mbledhur raportime nga çdo qark, por është e pamundur të llogariten dëmet tani. Kurajo të gjithëve. I gjithë shteti është në këmbë”, u shpreh Xhaçka.

Në bazë të raportimeve të mediave shqiptare deri më tani nga tërmeti i cili ka ndodhur orën 1:18 minuta pas mesnate, për tu pasur edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë kanë humbur jetën 7 persona.

Ky tërmet ka prekur qytetin e Durrësit, Thumanën dhe Kurbinin.