Qeveria ndan 50 milionë euro për subvencione në bujqësi, 5 milionë euro për naftën e bujqve

Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 milionë euro për subvencione në bujqësi ndërsa kanë premtuar edhe subvencionim të naftës për bujqit.

Kryeministri Kurti në konferencë për media tha se subvencionimi do të shpallet në muajin mars.

“Me subvencionimin e naftës përmbushet edhe një zotim publik qeveritar i yni, e që sot është një nevojë urgjente. Do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat bujqësore, bujqit do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ministri i Bujqësisë Faton Peci, tha se kjo është rritja më e madhe e realizuar ndonjëherë për bujqit.

“Përkrahja do të jetë substanciale për shumicën e produkteve, përkatësisht tek produktet strategjike, siç janë drithërat, patatja, gruri. Punimi i tokës përveç se domosdoshmëri, mund të shihet edhe si veprim patriotik. Vlera për subvencionimin e naftës do të jetë rreth 5 milionë euro. Vlerën më të lartë të përkrahjes e kemi për kulturën e grurit, sepse është në interes strategjik marrë përballe rrethanat e krijuara”, tha Peci.

Për subvencionimin e naftës janë ndarë 5 milionë euro, 36 centë për çdo litër naftë të përllogaritur me hektarët e poseduar të tokës së punuar.

Përmes këtij vendimi, subvencionimi për kulturën e grurit është rritur në 474 euro për hektar nga 324 euro sa ishte në vitin e kaluar.