Qeveria e Kosovës

Qeveria ndan 40 milionë euro për KOSTT-in

Ministria e Financave ka pranuar kërkesën për ndarjen e 40 milionë euro për mbështetje të ndërmarrjes KOSTT.

Këtë njoftim e ka bërë ministri i Financave Hekuran Murati.

Sipas tij kjo kërkesë vjen nga Ministria e Ekonomisë për mbështetje të ndërmarrjeve publike.

“Ne si Ministri e Financave kemi pranuar kërkesë nga Ministria e Ekonomisë, për mbështetje të ndërmarrjeve publike. Marrë parasysh që ndërmarrja KOSTT po kalon në vështirësi financiare për shkak të obligimeve të pa përmbushura që ka ndaj Entso-e me të cilën ka marrëveshje dhe duhet të respektohen në mënyrë që të vazhdojmë të jemi në të njëjtin bllok rregullues dhe të vazhdohet marrëveshja e cila ka enë marrëveshje e paraparë për dy vite fillimisht dhe tash është koha kur parashihet të vazhdohet”, tha Murati.

Sipas tij në kuadër të masës që parasheh mbështetje për ndërmarrje publike është aprovuar ndarja e 40 milionë eurove.

“Në kuadër të kësaj kërkesa ka qenë për mbështetje të ndërmarrjeve publike dhe sipas masës 4.6, që parasheh mbështetjen për ndërmarrje publike aprovohet ndarja e 40 milion euro e cila merret nga nën programi i ringjalljes ekonomike  kategoria e shpenzimeve, subvencione dhe transferove dhe transferohen në ministrinë e ekonomisë”, tha Murati.

Kurse, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka përmendur edhe udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Ajo tha se udhërrëfyesi parasheh një afat kohor për realizimin e kesaj marrëveshje.

“Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të jemi konstruktiv që t’i realizojmë pikat tona, nga ana tjetër jemi të obliguar zotimet që i kemi marrë ndaj Entsoi-s te cilat parashohin qe Kosova përfshinë të gjithë territorin, ne jemi përgjegjës dhe çfarëdo rrjedhe krijon kosto për ne. Vlera e ndarë parasheh që të përmbushen detyrimet deri në kohën kur kalon afati i udhërrëfyesit”, tha ajo.