Mbledhja e Qeverisë së Kosovës më 28 gusht 2020, Foto: ZKM

Qeveria ndan 40 mijë euro për Këshillin për Bashkëpunim Rajonal

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme i ka miratuar dy projektligje, katër rregullore dhe ka shqyrtuar disa vendime tjera.

Ekzekutivi në këtë mbledhje i ka ndarë 40 mijë euro për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Kosovës për vitin 2020 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë, respektivisht në buxhetin e Sekretariatit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Në Programin Legjislativ të vitit 2020 të qeverisë janë përfshirë dy projektligjet: Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, Objektivi 1, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”;  Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian; dhe Projektligji për Ratifikimin e Kontratës Financiare Ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza.

“Republika e Kosovës bën pjesë në grupin prej 4 % të shumës totale të vendeve të Evropës Juglindore, siç është përcaktuar në Takimin e Tryezës Rajonale të Paktit të Stabilitetit për Evropën Jug Lindore, në Bukuresht”, u tha në mbledhje.

Qeveria ka miratuar vendimin për publikim të akteve nënligjore të Qeverisë dhe ministrive në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, të cilat u prezantuan nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

“Me këtë veprim vlerësohet se do të rritet  transparenca dhe siguria juridike, përkatësisht parashikueshmëria e hyrjes në fuqi të akteve nënligjore”, tha ai.

Sipas vendimit, rregulloret dhe udhëzimet administrative të Qeverisë dhe ministrive që do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës do të hyjnë në fuqi shtatë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, përveç nëse me vetë aktin e tillë nuk përcaktohet ndryshe, ndërsa  Vendimet dhe urdhëresat hyjnë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare, përveç nëse me vetë aktin e tillë nuk përcaktohet ndryshe.

Miratimin nga kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marr edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomik Social, si dhe Projektligji për inspektoratin.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,  Skender Reçica tha se Projektligji përkufizon Inspektoratin e Punës, si organi i pavarur dhe ekzekutiv i MPMS-së, me mandat që të mbikëqyrë dispozitat ligjore nga marrëdhënia e punës.

“Çështjet kryesore të trajtuara në Projektligj janë: Mandati i Inspektoratit të Punës; Strukturën organizative; Statusin e të punësuarve duke përfshirë kushtet dhe kriteret profesionale; Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit Ekzekutiv; Kompetencat e inspektorëve të punës; Procedurën e inspektimeve duke përfshirën dhe llojet e inspektimeve; Parandalimin e konfliktit të interesit; Të drejtat dhe detyrimet e punëdhënësit gjatë inspektimit; Hetimet e aksidenteve në punë; Gjobat; Procedurat administrative dhe ato kundërvajtjes; Buxhetin e Inspektoratit të Punës; Ndërlidhjen ndërmjet Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë”, tha ai.

Qeveria i miratoi edhe katër rregullore që do të rregullojnë mënyrën, funksionimin e ndërmarrjeve sociale në Kosovë, të cilat janë: Rregullorja për procedurat e regjistrimit të ndërmarrjeve sociale, rregullorja për procedurat e raportimit për arritjen e objektivave sociale dhe raportet financiare, rregullorja për procedurën e marrjes, refuzimit dhe humbjes së statusit të ndërmarrjes sociale, rregullorja për strukturat përgjegjëse të monitorimit, kontrollit dhe procedurat për gjoba dhe ankesa të ndërmarrjeve sociale.

Në mbledhjen e ekzekutivit, Nesrin Lushtës, gjykatëse e Gjykatës Supreme të Kosovës, i është vazhduar mandati i kryetares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit. Propozimin për vazhdimin e mandatit të saj e dha zëvëndësministri i Drejtësisë, Florian Dushi.

Mandati i Lushtës është katër vjet dhe kryen detyrat dhe përgjegjësit e përcaktuara me Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe me legjislacionin përkatës në fuqi.

Gjithashtu, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital.