Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria ndan 30 mijë euro për pranimin e 5 gazetarëve nga Afganistani

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 30 mijë eurove për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për pranimin e pesë gazetarëve nga Afganistani.

Këtë propozim para kabinetit qeveritar e bëri Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i MPJD-së.

“Në kuadër të bashkëpunimit të Qeverisë me Federatën Evropiane të Gazetarëve si dhe në përputhje të qëndrimit të Kosovës në solidarizim me gazetarët nga Afganistani, MPJD paraqet propozim-vendimin për strehim dhe ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 30 mijë euro në emër të pranimit të 5 gazetarëve nga Afganistani” – tha Ahmeti.

Ai tha se përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

“Kjo shumë mbulon shpenzimet për vitin 2022. Përzgjedhja do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qeveria e Kosovës. Duke pasur për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuojë në vazhdimësi të bashkëpunimit me BE-në. Ju ftoj ta miratoni” – theksoi Ahmeti.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për këta pesë gazetarë.