Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Qeveria ndan 2.5 milionë euro për kulturë, rini e sport

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar ndarjen e 87 milionë euro nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.

Prej tyre, 2.5 milionë euro janë ndarë për kulturë, rini e sport.

“Prej fondit për rimëkëmbje 365 milionë euro, ato që janë nda më herët dhe 87 milionë euro të ndara në pozicione përfshi edhe kriteret për ndarjen e tyre”, ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ndërsa Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka deklaruar se deri tani janë shpenzuar 136 milionë euro ndërsa në javët në vazhdim do të ndahen prapë mjete nga programi për rimëkëmbje ekonomike sipas vendimit të Qeverisë të datës 13 gusht.

Shuma prej 87 milionë euro është ndarë si më poshtë:

– Në Ministrinë e Ambientit për programin Ndërmarrësia ndahen 60 milionë euro, ndarja bëhet për subvencionimin e pagave për bizneset aktive bazuar në numrin e të punësuarve të deklaruar në deklaratën e tatimit në pagë të muajit dhjetor 2019.

– Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në nënprogramin ndihmat sociale ndahen 7.5 milionë euro për dyfishimin për sistemin e pagesës së asistencës sociale për periudhën tetor-dhjetor 2020.

– Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, departamenti i Politikave Bujqësore ndahen 12 milionë për subvencioneve.

– Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për programin Ndërmarrësia ndahen 1 milion euro për mbështetjen e sektorit privat në fusha specifike sipas kritereve që do të aprovohen në qeveri.

– Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për Njësinë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ndahen 1 milion euro për mbështetje të ndërmarrjeve publike.

– Në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahen 2.5 milionë euro në këto nënprograme dhe shuma në nënprogramin sportet e gjera në shumë 1,539,000 euro në nënprogramin zhvillimi dhe përkrahja e rinisë në shumë prej 500 mijë euro dhe në nënprogramin përkrahja e kulturës në shumë prej 461 mijë euro.

– Në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal në nënprogramin Administrata Qendrore ndahen 1 milion euro.

– Në Zyrën e Kryeministrit, në nënprogramin Zyra për Komunitete ndahen 1 milion euro dhe gjithashtu në kuadër të Zyrës së Kryeministrit te nënprogrami Agjencia për Barazi Gjinore ndahen 1 milion euro.

Javën e kaluar Qeveria nga programi për rimëkëmbje ekonomike ka ndarë 15 milionë euro, 5 milionë euro për Ministrinë e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor dhe 10 milionë për komuna në kuadër të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e 25 shtatorit nuk ka pasur kuorum për votimin në parim të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.