Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria ndan 10.3 milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 128-të të saj ka ndarë 10.3 milionë euro për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Në këtë mbledhje, e cila është zhvilluar në mënyrë elektronike, Qeveria ka marrë vendim edhe për miratimin e ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të klasifikimit të koeficienteve me qëllim të llogaritjes së pagës bazë për të punësuarit në sektorin publik, sipas Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, për të cilët është i nevojshëm procesi i klasifikimit të vendeve të punës.

Po ashtu është miratuar vendimi me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës jep mendim lidhur me Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-158.

Qeveria vlerëson nismën në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë mbështet nismën e propozuar dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vlerësuar se kjo nismë nuk krijon kosto shtesë buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, është miratuar vendimi për themelimin e Komisionit për Shtesën e Kushteve Specifike të Punës.

Gjithashtu, ekzekutivi ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr. 29/112 të datës 13 dhjetor 2022 për miratimin e Planit të veprimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike.